11/08/2026
🏀 NJOFTIM PËR KOMUNITETIN
Të dashur qytetarë,
Pas përfundimit të fazës së parë të punimeve dhe funksionalizimit të ndriçimit të ri, fusha e basketit në Qendrën Multifunksionale Omni Sport është e hapur për shfrytëzim nga komuniteti.
🏀 Orari i shfrytëzimit:
🕗 20:00 – 23:00
Ftojmë të rinjtë dhe të gjithë të apasionuarit pas basketbollit ta shfrytëzojnë këtë hapësirë sportive dhe ta ruajnë atë si një pasuri të përbashkët.
Sport për të gjithë. Hapësirë për komunitetin.
💚🖤
Qendra Multifunksionale Omni Sport
10/08/2026
🏀 NJOFTIM – HAPJA E FAZËS SË PARË
Sonte, fusha e basketit hapet për komunitetin! 💚🖤
Me shumë përkushtim të stafit të Qendrës Multifunksionale Omni Sport, kemi filluar transformimin e fushës së basketit.
Punimet kanë nisur me sanimin dhe përgatitjen e sipërfaqes, ndërsa sot kemi arritur në fazën e parë të projektit, e cila do të shërbejë njëkohësisht edhe si fazë testuese për qëndrueshmërinë dhe efektivitetin e materialeve të përdorura.
🏀 Dhe sonte vjen momenti i parë i rëndësishëm!
Me instalimin e ndriçimit të ri LED, fusha do të jetë e hapur për shfrytëzim nga komuniteti sonte, nga ora 21:00, ndërsa në vazhdim do të mund të shfrytëzohet në oraret e përcaktuara të mbrëmjes.
Ky nuk është fundi i projektit. Është vetëm fillimi.
Në ditët dhe javët në vazhdim do të vazhdojmë me përmirësime të tjera, duke e përshtatur fushën edhe më shumë me nevojat e sportistëve dhe komunitetit.
Një fushë më shumë.
Një hapësirë më shumë për rininë.
Një hap më shumë për Mitrovicën. 💚🖤
📍 Qendra Multifunksionale Omni Sport – Mitrovicë
🏀 Hapja e fazës së parë: sonte në ora 21:00
Mirë se vini!
30/07/2026
NJOFTIM
🏀 Kanë filluar punimet për rinovimin e fushës së basketit!
Kanë nisur punimet për riparimin dhe rinovimin e fushës së basketit, me synimin që shumë shpejt t'i ofrojë qytetarëve të Mitrovicës një hapësirë sportive më cilësore, më të sigurt dhe më funksionale.
Gjatë ditës së sotme, stafi ynë ka filluar me sanimin e çarjeve dhe përgatitjen e sipërfaqes, si hapi i parë drejt transformimit të plotë të fushës.
Në ditët në vijim do të vazhdojnë punimet me lyerjen e sipërfaqes, vijëzimin profesional dhe instalimin e ndriçimit modern LED, i cili do t'u mundësojë qytetarëve ta shfrytëzojnë fushën edhe në orët e mbrëmjes.
Ky është një investim që po realizohet për të krijuar kushte më të mira për sportin, rekreacionin dhe komunitetin tonë.
Qëndroni me ne – shumë shpejt do të ndajmë pamjen e re të fushës së basketit! 🏀💚🖤
Qendra Multifunksionale Omni Sport
29/07/2026
NJOFTIM PËR OPINIONIN
Qendra Multifunksionale “Omni Sport” njofton opinionin dhe të gjithë qytetarët se edhe institucioni ynë ka pranuar një email të dyshimtë dhe mashtrues, i cili paraqitet në mënyrë të rreme kinse është dërguar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës dhe përmban pretendime për një “urdhër gjykate” të bashkangjitur.
Pas pranimit të këtij emaili, rasti është raportuar nga Qendra Multifunksionale “Omni Sport” tek Policia e Kosovës, nga ku jemi informuar se edhe institucione dhe persona të tjerë kanë pranuar komunikime të ngjashme dhe se rasti tashmë është duke u trajtuar nga autoritetet kompetente.
Për këtë arsye, ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve, institucioneve dhe bizneseve që të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm ndaj komunikimeve të tilla, të mos hapin dokumente apo linqe të dyshimta dhe të mos japin të dhëna personale apo bankare.
Qendra Multifunksionale “Omni Sport” e konsideron të rëndësishme që opinioni të jetë i informuar për këtë dukuri dhe të tregojë kujdes maksimal ndaj tentativave të mundshme për mashtrim elektronik.
Në rast se pranoni komunikime të ngjashme, ju rekomandojmë që të mos ndërmerrni asnjë veprim në përmbajtjen e tyre dhe ta raportoni rastin tek autoritetet kompetente.
Bëni kujdes. Mos hapni email-e të dyshimta dhe mos jepni të dhëna personale apo bankare.
Qendra Multifunksionale “Omni Sport”
27/07/2026
🏆⚽ URIME KFF MITROVICA!
Ndërmarrja Qendra Multifunksionale Omni Sport i uron nga zemra KFF Mitrovicës për suksesin dhe kualifikimin e arritur! 💙👏
Sot, së bashku me kolegët tanë, patëm kënaqësinë të mirëpresim trajnerin e skuadrës, Shpëtim Idrizi, të cilit i shprehëm urimet tona më të sinqerta për sukseset e arritura dhe punën e palodhshme të tij dhe të gjithë skuadrës.
Si ndërmarrje, jemi të lumtur që kemi mundur ta mbështesim këtë rrugëtim duke i mundësuar Shpëtimit, si pjesë e stafit tonë, që të jetë pranë ekipit gjatë fazës përgatitore, ndeshjeve dhe tani edhe në garat e mëtejshme.
Besojmë se mbështetja e sportit dhe e talenteve tona është një përgjegjësi që të gjithë duhet ta ndajmë. Për ne është kënaqësi dhe krenari të shohim se një bashkëpunim i tillë po shoqërohet me sukses.
Urime KFF Mitrovica dhe shumë suksese në vazhdim!Jemi me ju në çdo hap të këtij rrugëtimi! 💙⚽🏆
Qendra Multifunksionale Omni Sport
07/07/2026
Sot pata kënaqësinë që, së bashku me stafin e administratës së ndërmarrjes, të mirëpresim përfaqësuesit e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, me rastin e fillimit të bashkëpunimit tonë si qiramarrësi më i ri në objektet tona.
Ky bashkëpunim, i formalizuar me një marrëveshje 3-vjeçare, është dëshmi e besimit që institucionet dhe organizatat kanë ndaj kushteve dhe shërbimeve që ofron ndërmarrja jonë.
Në objektet tona zhvillojnë aktivitetin e tyre institucione, organizata dhe biznese të suksesshme, ndër të cilat:
✅ RTK
✅ Ndërmarrja "Uniteti"
✅ Fitness Gym “NOX”
✅ Shkolla e Gjuhës Gjermane "Dituria"
✅ Mripa Rehab & Physiotherapy
✅ Ladies Gym – Almira Kuqi
✅ Athletic Training Center "PRO"
✅ Agjencia e Statistikave të Kosovës
Jemi krenarë që kemi krijuar një ambient ku bashkëjetojnë institucione publike, biznese dhe aktivitete që kontribuojnë në zhvillimin e komunitetit tonë.
Njëkohësisht, ju njoftojmë se nga ky muaj është liruar një zyrë me sipërfaqe prej 90 m², e cila është e gatshme për shfrytëzim nga institucione, organizata joqeveritare apo biznese të interesuara.
Gjithashtu, ndërmarrja disponon edhe një hapësirë me potencial të lartë për zhvillimin e një restoranti, në një lokacion me qarkullim dhe mundësi të mira zhvillimi.
Ftojmë veçanërisht shkollat e vallëzimit, klubet sportive, akademitë e sportit, qendrat rekreative, organizatat dhe bizneset e tjera që të vizitojnë ndërmarrjen tonë dhe të shqyrtojnë mundësitë e bashkëpunimit. Ne ofrojmë ambiente funksionale, kushte shumë të mira pune dhe një komunitet aktiv që krijon mundësi për zhvillim dhe bashkëpunim të ndërsjellë.
Dyert tona janë të hapura për çdo ide dhe partneritet që sjell vlerë për komunitetin.
Për informata shtesë dhe vizita në hapësirat e lira, ju mirëpresim të na kontaktoni.
Mirë se erdhët dhe suksese Agjencisë së Statistikave të Kosovës! Ju falënderojmë për besimin dhe ju urojmë një bashkëpunim të gjatë e të suksesshëm.
Qendra Multifunksionale Omni Sport
07.07.2026 Mitrovicë
09/06/2026
🎾 SEZONI I TENISIT KA FILLUAR! 🎾
Të nderuar qytetarë dhe dashamirë të tenisit,
Ju njoftojmë se fusha e tenisit është e hapura dhe terminet mund të rezervohen sipas orarit në vijim:
🕗 Nga e hëna deri të premten (08:00 – 17:00) 📍 Rezervimet bëhen në administratë.
🌙 Nga ora 17:00 deri në 22:00 📞 Rezervimet bëhen te punëtori i autorizuar: 📱 049 112 062
📅 Gjatë fundjavës (e shtunë dhe e diel) 📞 Rezervimet bëhen gjatë gjithë ditës në: 📱 049 965 743
💰 Çmimorja: ✅ 1 orë – 3 € ✅ 2 orë – 5 € 🌙 Terminet e mbrëmjes: ✅ 1 orë – 5 €
Për ndonjë kërkesë apo vërejtje kontaktoni
049 181838
Për informata shtesë dhe rezervime, ju mirëpresim të na kontaktoni në numrat e lartshënuar.
Mirë se vini dhe ju urojmë një sezon të mbarë sportiv! 🎾
Qendra Multifunksionale OMNI Sport Mitrovicë
04/06/2026
🌟 Krenarë me sukseset e punëtorëve tanë! 🌟
Ndërmarrja jonë shpreh krenarinë dhe respektin më të madh për dy kolegët tanë të përkushtuar nga sektori i fushave sportive, të cilët po arrijnë suksese të jashtëzakonshme në aktivitetet e tyre sportive.
⚽ Shpëtim Idrizi, Shef i Shtabit Teknik të Klubit Futbollistik të Femrave Mitrovica, ka arritur të shpallet Kampion i Kosovës, një sukses i merituar që është rezultat i punës, profesionalizmit dhe përkushtimit të tij të vazhdueshëm.
🏀 Ngadhnjim Shabani, gjyqtar i basketbollit nga Mitrovica, është përzgjedhur në mesin e pesë gjyqtarëve nga Kosova që do të ndajnë drejtësinë në garat zyrtare të FIBA gjatë verës së vitit 2026. Ky është një vlerësim i lartë për profesionalizmin dhe angazhimin e tij shumëvjeçar në basketboll, duke përfaqësuar me dinjitet Mitrovicën dhe Kosovën në skenën ndërkombëtare.
Këto arritje dëshmojnë se punëtorët tanë nuk kontribuojnë vetëm në suksesin e ndërmarrjes, por edhe në zhvillimin dhe promovimin e sportit në nivel lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar.
👏 Urime të përzemërta Shpëtimit dhe Ngadhnjimit për sukseset e arritura! Ju dëshirojmë edhe shumë fitore, suksese dhe përfaqësim dinjitoz në të ardhmen.
Me respekt, Menaxhmenti dhe kolektivi i Ndërmarrjes 🇽🇰🏆⚽🏀
20/05/2026
Të nderuar qytetarë,
Sot kemi përfunduar lyerjen dhe rregullimin e fasadës së jashtme të ndërmarrjes sonë, një hap i vogël por shumë i rëndësishëm në përpjekjen tonë të vazhdueshme për ta mbajtur këtë hapësirë sa më të pastër, më të bukur dhe më dinjitoze për të gjithë qytetarët.
Fatkeqësisht, ditëve të fundit kemi hasur në dëmtime dhe zhgaravitje nga persona të papërgjegjshëm, veprime që po dëmtojnë një ambient i cili me shumë mund, sakrificë dhe vështirësi financiare po mirëmbahët nga ndërmarrja jonë. Gjendjen dhe sfidat që kemi kaluar i dini të gjithë, por pavarësisht tyre, ne kemi zgjedhur të punojmë çdo ditë për ta kthyer këtë hapësirë në një vend që i jep krenari qytetit tonë.
Prandaj, nga sot apelojmë tek të gjithë qytetarët, veçanërisht tek të rinjtë, që ta ruajmë së bashku këtë ambient që po frekuentohet çdo ditë e më shumë dhe që është krijuar për të mirën e përbashkët.
Njëkohësisht, njoftojmë se çdo person që kapet duke dëmtuar apo shkatërruar pronën publike do të identifikohet përmes kamerave të sigurisë dhe incizimet do t’i dorëzohen organeve të rendit për procedura të mëtejshme.
Ju lusim që, nëse vëreni veprime të tilla apo sjellje që dëmtojnë ambientin, të na njoftoni menjëherë. Vetëm së bashku mund ta mbrojmë dhe ta ruajmë këtë hapësirë që me shumë mund po mundohemi ta ndërtojmë për qytetarët tanë.
Faleminderim i veçantë për të gjithë qytetarët e ndërgjegjshëm që po e respektojnë dhe po kujdesen për këtë ambient. Mbështetja juaj na jep forcë të vazhdojmë edhe më shumë.
Qendra Multifunksionale OMNI Sport Mitrovicë