12/07/2026
Klubi i Kajakut Aqua ka për qëllim promovimin e mbrojtjes së mjedisit, me fokus të veçantë në luftimin e ndotjes nga plastika. Përmes aktiviteteve në ujë, aksioneve të pastrimit dhe ndërgjegjësimit të komunitetit, klubi synon të ruajë lumenjtë dhe liqenet të pastër për brezat e sotëm dhe të ardhshëm. Ne besojmë se çdo veprim i vogël kontribuon në një mjedis më të shëndetshëm dhe një natyrë më të pastër.
08/07/2026
Pretendimi se aktivitetet ujore nuk duhet të lejohen në Liqenin e Radoniqit nuk qëndron në raport me legjislacionin në fuqi.
Udhëzimi Administrativ MMPHI Nr. 11/2022 ka ndryshuar qëllimisht rregullimin e mëparshëm dhe ka lejuar zhvillimin e sporteve ujore pa motor në burimet e ujit të pijshëm, duke vendosur kritere të qarta teknike dhe sanitare. Ky ndryshim nuk është bërë në mënyrë të njëanshme, por me pjesëmarrjen dhe pajtimin e institucioneve kompetente, përfshirë Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, i cili ka vlerësuar se, kur respektohen kriteret e përcaktuara, nuk rrezikohet cilësia e ujit të pijshëm.
Sipas këtij udhëzimi, aktivitetet lejohen vetëm nëse zhvillohen në një distancë minimale prej 1.2 km nga vepra e ujëmarrjes ose në zonën që korrespondon me të paktën 15 ditë lëvizje horizontale të ujit në liqe sipas metodës së izokroneve. Këto kritere janë vendosur pikërisht për të garantuar mbrojtjen sanitare të burimit të ujit.
Për më tepër, Republika e Kosovës është nikoqire e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, ndërsa strategjitë shtetërore për zhvillimin e sportit synojnë përgatitjen dhe avancimin e federatave dhe klubeve sportive.
Sportet ujore pa motor, si kajaku, rowingu, noti janë disiplina olimpike dhe mesdhetare, prandaj krijimi i kushteve për stërvitje në përputhje me legjislacionin në fuqi është pjesë e realizimit të objektivave shtetërore për zhvillimin e sportit, pa cenuar mbrojtjen e burimeve ujore.
07/07/2026
Propozim për Përcaktimin e Zonës së Rekreacionit Ujor në Liqenin e Radoniqit
Klubi i Kajakut Aqua Deçan propozon që, në kuadër të Planit Kornizë për Menaxhimin e Ujërave në Kosovë, të përcaktohet një Zonë e Rekreacionit Ujor pa mjete motorike në pjesën veriperëndimore të Liqenit të Radoniqit, në lokacionin e paraqitur në hartën bashkëngjitur.
Lokacioni i propozuar është në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e burimeve të ujit të pijshëm, pasi ndodhet jashtë zonës mbrojtëse të marrjes së ujit dhe respekton kërkesat e akteve nënligjore për zonat sanitare të mbrojtjes së burimeve ujore. Ndërsa distanca minimale e paraparë është rreth 1.2 km nga vepra ujëmarrëse, zona e propozuar ndodhet rreth 4 km larg saj, duke ofruar një nivel edhe më të lartë sigurie për mbrojtjen e cilësisë së ujit.
Kjo zonë do të dedikohej për zhvillimin e aktiviteteve rekreative jo-motorike, si kajaku, kanoja, noti dhe sporte të tjera ujore pa motor, duke eliminuar rrezikun e ndotjes nga karburantet, vajrat, emetimet dhe zhurma që shkaktojnë mjetet motorike.
Njëkohësisht, përcaktimi i kësaj zone do të krijonte kushte për monitorimin e cilësisë së ujit sipas standardeve të Direktivës për Ujërat e Larjes (2006/7/EC), si dhe do të kontribuonte në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, sportit, rekreacionit dhe edukimit mjedisor.
Duke qenë se raporti "Çështjet e Rëndësishme të Menaxhimit të Ujit në Kosovë" trajton mbrojtjen e cilësisë së ujit, zonat e mbrojtura dhe monitorimin e tyre, propozojmë që Programi i Masave të përfshijë edhe identifikimin, përcaktimin dhe menaxhimin e zonave zyrtare të rekreacionit ujor, në përputhje me legjislacionin e Republikës së Kosovës dhe rekomandimet e Bashkimit Evropian.
Klubi i Kajakut Aqua Deçan është i përkushtuar në mbrojtjen e mjedisit, ruajtjen e cilësisë së ujit dhe luftimin e ndotjes, veçanërisht nga mbeturinat plastike. Në kuadër të veprimtarisë së tij, klubi do të vazhdojë të monitorojë gjendjen e Liqenit të Radoniqit dhe të raportojë tek institucionet kompetente çdo dukuri që cenon mjedisin dhe ligjshmërinë, përfshirë peshkimin e paligjshëm me rrjeta, kultivimin ilegal të peshkut, ndërtimet pa leje përgjatë brigjeve të liqenit, hedhjen e mbeturinave dhe çdo aktivitet tjetër që rrezikon ekosistemin dhe cilësinë e ujit.
IWRM-K
05/07/2026
Mirëmëngjesi kajakistë nga Deçani – aty ku aventura fillon dhe turizmi lulëzon! 🚣✨