30/06/2026
ZAIM ZAIMI NË FINALE – SIGURON PJESËMARRJEN NË PWL MOSKË!
Sportisti i Klubit të Mundjes Shkupi, Zaim Zaimi, vazhdon të shkëlqejë në arenën ndërkombëtare. Pas paraqitjes së tij shumë të mirë në Kampionatin Evropian U15, ku u rendit në vendin e 7-të, ai po vazhdon formën e tij të jashtëzakonshme edhe në turneun e organizuar nga Professional Wrestling League (PWL), organizata më prestigjioze në botën e mundjes, që po zhvillohet në Stamboll.
Pas tre fitoreve radhazi, Zaim Zaimi u kualifikua në finalen e madhe të turneut, duke siguruar njëkohësisht pjesëmarrjen në turneun elitar të PWL, i cili do të mbahet në Moskë gjatë muajit dhjetor, ku do të garojnë disa nga mundësit më të mirë në botë.
Paraqitje shumë të mira zhvilluan edhe sportistët e tjerë të Klubit të Mundjes Shkupi. Jusuf Zaimi dhe Davud Bajrami u ndalën në gjysmëfinale nga mundës rusë dhe nesër do të luftojnë për medaljen e bronztë. Bashkim Sulejmani gjithashtu do të garojë për medaljen e bronztë pas paraqitjeve të tij të mira gjatë turneut.
Ndërkohë, Bamir Sejfullau do të ketë shansin e tij përmes repesazhit, ku do të synojë të kualifikohet në finalen e vogël dhe të luftojë për medaljen e bronztë.
I urojmë shumë suksese të gjithë ekipit të Klubit të Mundjes Shkupi!